KSHZ: Votimi po vijon pa probleme

Vendvotimet janë hapur në kohë, ndërsa votimi vijon pa probleme në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, zëdhënësja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Lupka Guguçevska.

Ajo kumtoi se deri më tani nuk ka informacione për të gjitha vendvotimet dhe se në vijim janë kontakte me komisionet komunale zgjedhore.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve të gjashtë presidenciale. Në garën presidenciale janë kandidati i LSDM-së dhe koalicionit Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska-Davkova.

Në 3,480 vendvotime në Republikë dhe në 32 jashtë vendit në zgjedhjet e gjashta presidenciale mund të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore.

Vendvotimet do të jenë të hapura prej orës shtatë deri në orën 19. Pas mbylljes së vendvotimeve do të mund të votojnë vetëm personat të cilët deri në atë moment ndodhen në objektin ku votohet.

Zgjedhjet presidenciale, do t’i ndjekin 3.381 vëzhgues nga vendi dhe 520 jashtë vendit, të akredituar nga KSHZ-ja.

Vëzhgues kanë akredituar edhe shumë ambasada nga vende të huaja, si ambasadat e Federatës Ruse, Francës, Britanisë së Madhe, Suedisë, Hungarisë, Italisë, Shqipërisë, Sllovakisë në Maqedoni. Në KSHZ janë akredituar edhe 289 përkthyes.

Dje, një ditë para zgjedhjeve, votuan personat në institucionet ndëshkuese-përmirësuese, të zhvendosurit brenda vendit, personat të cilët janë në arrest shtëpiak dhe personat e sëmurë të cilët e kanë kërkuar këtë nga komisionet komunale zgjedhore.

Procesverbalet dhe materiali tjetër zgjedhor bordet zgjedhore i dorëzojnë deri te KKZ-të në afat prej pesë orëve pas përfundimit të votimit. KKZ-të përkatëse pastaj i grumbullon rezultatet nga votimi, harton procesverbale dhe ia dorëzon KSHZ-së.

KSHZ-ja rezultatet e para të votimit të cilat i ka marrë në formë elektronike i publikon në mënyrë suksesive, ndërsa rezultatet nga procesverbalet e KKZ-së në afat prej 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve.

KSHZ-ja rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve i publikon në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre.

Që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë në karrigen e presidentit janë ulur katër presidentë. Presidenti i parë Kiro Gligorov dhe presidenti aktual Gjorge Ivanov funksiononin e presidentit e kanë kryer në dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë pasur Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski./Alsat