Kryetari i ri i PD-së, Sylejman Çerkezi: Kuvendi ishte legjitim, kishte ftesë edhe KQZ-ja

Të mërkurën, Partia e Drejtësisë ka mbajtur një Kuvend të jashtëzakonshëm, ku edhe është zgjedhur kryetari i ri, Sylejman Çerkezi.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Çerkezi ka thënë se brenda partisë është kërkuar që të ketë reforma, andaj në mbledhjen e Këshillit Drejtues është vendosur për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm.

Në Kuvend nuk ishte pjesëmarrës Ferid Agani, kurse sipas Çerkezit, ishin ftuar të gjithë anëtarët, derisa varej nga ta pastaj a kanë pasur dëshirë të marrin pjesë apo jo.

Ai ka thënë se gjithçka ka shkuar sipas rregullave dhe se ftesa ka shkuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ai ka thënë se nga Partia e Drejtësisë ka mbi 150 delegatë që ishin larguar, kurse shumë degë që janë mbyllur. Tani, thotë Çerkezi, është duke u punuar që ata delegatë që janë të interesuar, të kthehen në parti, kurse degët tjera të hapen.

Çerkezi ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha partitë, sepse përkundër rivalitetit politik, secili program partiak shkon në interesa të qytetarëve.

Çerkezi ka shtuar se në Kuvendin e mbajtur të mërkurën kishin marrë pjesë 17 degë nga 24 sa ka në tërësi PD-ja. Sipas tij, secili që merr vesh nga politika, e di që kjo është e mjaftueshme për partinë.

I pyetur se a e kishte liruar selinë Ferid Agani, ashtu siç i ishte kërkuar, Çerkezi është shprehur se “Nuk e di, nuk jam marrë me këtë punë, janë çështje teknike, kemi punë të tjera”.