Kryetari i Diyanetit të Turqisë viziton Kosovën, takohet me myftiun Tërnava

Kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë sot është pritur në takim nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, raporton Anadolu Agency (AA).

Erbaş ndodhet në Kosovë për të realizuar vizita të ndryshme dhe për të marrë pjesë në hapjen e programit të Javës së Mevludit Nebi Jashtë Shtetit. Ai me këtë rast është pritur në takim nga kryetari i BIK-ut Tërnava.

Gjatë këtij takimi Erbaş tha se Kosova ka një vend të posaçëm në zemat e tyre, ku shprehu gëzimin e tij për të qenë në këtë vend. Ai theksoi se në të kaluarën këta dy popuj kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të jetojnë së bashku edhe sot në qytete të ndryshme të Turqisë duke filluar nga Stambolli por edhe në Kosovë. Erbaş thotë se vizita e tij në Kosovë është një tregues se zemrat e tyre rrahin me qëllim të njëjtë. Erbaş me këtë rast theksoi se në periudhën në vijim do të vazhdojnë duke u rritur projektet për shërbime për xhami, shërbime fetare dhe arsimim fetar.

“Kosova është shteti me popullsinë më të dendur muslimane në Evropë. Ne duhet që në bashkëpunim të zhvillojmë aktivitete që për këtë komunitet të madh musliman, fëmijët e këtij shteti musliman të arrijnë informacionet e vërteta fetare. Ne shpresojmë se do të bëjmë gjithçka që është e mundur si nga aspekti i medreseve dhe të botimeve të librave. Sepse në fillim të civilizimit tonë ndodhet shkenca, ndodhet shkrim- leximi, mësimi, edukimi dhe disiplina, fillimi i civilizimit tonë ka ndodhur kështu”, tha Erbaş.

Sipas tij, në zemrat e njerëzve duhet të arrijnë të gjitha parimet dhe bukuritë e Islamit. Erbaş tha se gjatë një jave do të organizojnë program “Mevlid-i nebi” me rastin e përvjetorit të lindjes së pejgamberit.

Myftiu Tërnava theksoi rëndësinë e kësaj vizite duke thënë se që nga e kaluara kanë trashëguar një thesar shumë të madh të trashëgimisë fetare dhe kulturore, e cila sipas tij, lidh bashkëpunimin tonë mes tyre. Ai me këtë rast falënderoi Diyanetin e Turqisë, i cili sipas tij, me të vërtetë ka ndihmuar dhe është kujdesur edhe për BIK-un si dhe institucionet tjera turke në Kosovë si TIKA, Yunus Emre, drejtoria e vakëfeve e sidomos ambasada turke.

“Falënderoj edhe një herë Turqinë, popullin vëlla turk atë që ka bërë për Kosovën, përkrahjen e vazhdueshme edhe në aspektin politik për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të shumtë ndërkombëtarë. Lusim Zotin që të falë siguri dhe mirëqenie për popullin turk”, tha Tërnava duke njoftuar më tej mysafirin e tij me punën, historikun dhe organizimin e institucionit të BIK-ut.

Erbaş sot gjatë ditës ka vizituar edhe vendin ku do të ndërtohet Xhamia Qendrore në Prishtinë ndërkaq në mbrëmje do të marrë pjesë në programin e Javës së Mevludit Nebi Jashtë Shtetit.

SHPËRNDAJE