Kryeprokurori Millaku flet sot për aktakuzën e veteranëve mashtrues

Me fillim nga ora 13:30 Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku pritet që të dalë në një konferencë për media për të sqaruar gjithçka lidhur me aktakuzën e Prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, për veteranët mashtrues.

“Ju njoftojmë se sot më 20 gusht 2018, ditë e hënë, me fillim nga ora 13: 30, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, do të mbaj konferencë për media. Konferenca do të mbahet në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, rruga, Luan Haradinaj, Prishtinë”, ka njoftuar zyra për informim e Prokurorisë së Shtetit.

Siç edhe është bërë e ditur ditë më parë prokurori tashmë i dorëhequr Elez Blakaj ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave lidhur me listën e veteranëve të luftës, transmeton Indeksonline.

Sipas gjetjeve që ishin bërë, 19 mijë persona janë futur në listë në mënyrë të paligjshme.