Kryeparlamentari Xhaferi shpalli zgjedhjet lokale në Maqedoni

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot, në pajtim me afatet e konfirmuara me Kodin Zgjedhor, nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve lokale për më 15 tetor të vitit 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas dispozitave ligjore zgjedhjet lokale do të mbahen më 15 tetor. Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve do të dorëzohet te institucioni për zbatimin e zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë.

“Apeloj deri te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, në periudhën para ditës së zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve, të sillen në pajtim me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, ndërsa institucionet kompetente të sigurojnë proces të plotë zgjedhor dhe dita e zgjedhjeve të rrjedh në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, ashtu siç e meritojnë qytetarët e respektuar të Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Xhaferi pas nënshkrimit të vendimit në kabinetin e tij.

Meqë fushata zgjedhore do të fillojë 20 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, kryeparlamentari Xhaferi njoftoi se në këtë periudhë Kuvendi do të punojë, megjithatë nuk do të ketë seanca plenare.

“Kjo është kështu me qëllim që deputetët të kenë mundësi të përkushtohen tërësisht në fushatën zgjedhore, ndërsa në të njëjtën kohë të evitohet mundësia që seancat kuvendore të shndërrohen në fushatë parazgjedhore”, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.