Kryeministri Yıldırım kandidat për kryetar të Parlamentit të Turqisë

Grupi parlamentar i Partisë AK i ka dorëzuar kryesisë së Kuvendit propozimin për kandidaturën e kryeministrit të Turqisë Binali Yıldırım për kryetar të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), raporton Anadolu Agency (AA).

Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit në Turqi, sot deputetët e zgjedhur dhanë betimin e tyre.

Sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë AK, Naci Bostancı dhe nënkryetarët e grupit parlamentar të kësaj partie ia dorëzuan kryesisë së Kuvendit kandidaturën e kryeministrit Yıldırım për kryetar të Parlamentit të Turqisë (TBMM).

Yıldırım duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për kandidimin e tij për kryetar të Parlamentit tha: “Shpresoj të jetë në të mirën e atdheut dhe të popullit”.

Pasi iu rikujtua se ai është kandidati i parë për kryetar të Parlamentit, Yıldırım tha: “Por, mund të dalin edhe kandidatët tjerë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se “A do të zgjidhet në raundin e parë”, Yıldırım tha: “Nuk mund ta di, unë nuk mund të vendos për vullnetin e Parlamentit. Çfarë thotë Parlamenti dhe deputetët tanë, ajo ndodhë”.

Kryeministrit Yıldırım po ashtu iu rikujtua deklarata e tij e mëparshme, ku ka thënë se “Zoti e mbyll një derë dhe e hap tjetrën”. Në lidhje me këtë ai tha: “Dera u hap, po shkojmë”.

Yıldırım, kryeministri i fundit i Turqisë, po ushtron ditët e fundit në këtë detyrë, pasi vendi zyrtarisht kaloi drejt një sistemi presidencial të qeverisjes muajin e kaluar, me fitoren në zgjedhje të presidentit, Recep Tayyip Erdoğan.