Kryeministri i përgjigjet Gjuriqit: Trepçës i kemi dhënë drejtimin e duhur

Reagimi i kryeministrit të Kosovës erdhi pak minuta pasi Shefi i Zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka reaguar për Ligjin e Trepçës duke thënë se Kosova ka shkelur rezolutën 1244 dhe se kërkojnë takim urgjent me Këshillin e Sigurimit të OKB’së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kosova dje ka kaluar një ditë të rëndësishme për fatin e Trepçës dhe ardhmërisë së saj.

“Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin”, shkruan Mustafa.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe kontributin e dhënë nga deputetët e AAK’së dhe të Nismës.

“Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin e një proces demokratik”, ka shkruar kryeministri.

Megjithatë, ai ka shtuar se akoma nuk janë përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit, prandaj Kosovës i nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve.