Kryeministri Kurti: Sot, në 12-vjetorin e Pavarësisë në kryeqytetin e kryengritjes në Prekaz, nderuam familjen Jashari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit  të Kosovës, Vjosa Osmani, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rrahman Rama dhe kabineti qeveritar, për nder të shënimit të 17 Shkurtit, 12- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit nga Garda Ceremoniale, në oborrin e Qeverisë së Kosovës.


Më pas, kryeministri Kurti bashkë me kryetaren Osmani, kanë bërë homazhe te kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Me këtë rast, kryeministri Kurti, duke kujtuar sakrificën e familjes Jashari, shtoi se u bënë bashkë në Prekaz për ta nderuar familjen Jashari.


“Bashkë me kryetaren e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ministra e deputetë erdhëm sot këtu në Prekaz në këtë kryeqytet të kryengritjes e të qëndresës së popullit tonë, për të kujtuar e për të nderuar familjen Jashari, babën Shaban me nënën Zahiden, Ademin e Adilen, Hamzën e Feridën , Zarifen më fëmijët e tyre si dhe familjen e gjerë gjithsejtë 59 veta të cilët luftuan  dhe u sakrifikuan  në një ngjarje të jashtëzakonshme  që sot njihet sikur Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti.


Ndër tjerash, kryeministri Kurti, veçoi  se në 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë i kujtojnë me mall e me pikëllim por edhe më shumë krenari familjen Jashari.