Kryeministri kanadez Trudeau kërkon falje për fotografinë e vitit 2001

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau ka kërkuar falje pas publikimit të një fotografie të vitit 2001, ku kreu i ekzekutivit kishte lyer fytyrën me bojë të zezë në një festë me temë “Netët Arabe”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk duhej ta kisha bërë atë. Duhej të kisha ditur më mirë, por nuk dija”, u tha Trudeau gazetarëve sot, në pamjet e transmetuara nga Global News të Kanadasë, për foton e gjetur nga Time Magazine.

“Vërtet më vjen shumë keq”, shtoi ai.

Ai tha se fotografia është bërë në vitin 2001 kur mori pjesë në një gala të fundvitit si mësues dhe ai ishte veshur në personazhin e Aladdin-it.

“Do të kërkoj nga kanadezët që të më falin për atë që bëra, ishte një budallallëk që bëra. Jam i zhgënjyer me veten time. Jam i nxehur me veten time që kam bërë atë”, theksoi Trudeau.

Fotografia e Trudeau u shfaq rreth një muaj para se Kanadaja të zhvillojë zgjedhjet federale më 21 tetor.

Udhëheqësi konservator Andrew Scheer, rivali më i madh i Trudeau në sondazhet, tha se ishte “jashtëzakonisht i tronditur dhe i zhgënjyer” nga fotografia.

“Mbajtja e fytyrës me ngjyrë të zezë është një akt talljeje dhe racizmi të hapur. Atë që kanadezët panë këtë mbrëmje është dikush që është me mungesë të plotë gjykimi dhe integriteti dhe dikush që nuk është i përshtatshëm për të qeverisur këtë vend”, u tha ai gazetarëve.

Elizabeth May, liderja e Partisë së Gjelbër, në një postim në Twitter tha se ishte “thellësisht e tronditur nga racizmi i treguar në fotografi”, duke shtuar se Trudeau dështoi në këtë çështje.