Kryeministri irakian dhe kleriku shiit formojnë koalicionin qeveritar

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi dhe kleriku shiit, Muqtada al-Sadr, kanë nënshkruar një marrëveshje për formimin e qeverisë të cilës i ka paraprirë një takim mes dy liderëve politikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajmi u bë i ditur në një konferencë për mediat të shtunën vonë në qytetin jugor Najaf, në të cilën u tha se gjatë takimit Al-Sadr i ka përcjellë Al-Abadit disa nga shqetësimet e tij të cilat do të duhet të jenë ndër prioritetet e qeverisë së re, siç janë “lufta kundër korrupsionit, forcimi i ushtrisë dhe krijimi i një qeverie teknokratike me një aleancë që do të jetë mbi sektet”.

Al-Sadr shpresonte të formojë qeveri me bllokun alevit Al-Wataniya dhe me Lëvizjen e Urtësisë Kombëtare, por dështoi meqë nuk i kishin numrat e mjaftueshëm.

Javën e kaluar disa parti politike irakiane shprehën kritikat e tyre në adresë të klerikut Muqtada al-Sadr, pasi ky i fundit foli për një aleancë të mundshme me koalicionin Fatah, të mbështetur nga Irani.

Ndonëse Al-Sadr është një kritik i shpeshtë i ndikimit iranian në Irak, ai mban kontakte të afërta me Teheranin. Për vite të tëra, ai ka studiuar tek klerikët në qytetin iranian të Qom, i cili historikisht njihet për qendër të bursave fetare shiite.

Koalicioni “Sairoon” i klerikut shiit Al-Sadr dominoi në zgjedhjet parlamentare të 12 majit, duke fituar 54 ulëse.

Partia e dytë doli koalicioni Hashd al-Shaabi me 47 ulëse, ndërsa blloku i kryeministrit Haidar al-Abadi u radhit i treti me 42 ulëse.