Kryeministri i Bullgarisë dënoi racizmin në futboll

Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov ka dënuar sjelljen raciste të tifozëve të vendit të tij në futboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Tifozët lokalë bënin përshëndetje naziste dhe gjeste apo zhurmë majmunësh ndaj lojtarëve me ngjyrë të kombëtares së Anglisë gjatë ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian, të cilën ndeshje Anglia e fitoi me 6:0.

Borissov tha se “është e papranueshme që Bullgaria, një nga vendet më tolerante në botë ku njerëzit e etnive të ndryshme jetojnë në paqe, të lidhet me racizëm dhe ksenofobi”.

Tifozët bullgarë tashmë janë sanksionuar për abuzime tjera raciste në kualifikimin për Euro 2020 dhe ndeshjen kundër Anglisë e luajtën në stadium pjesërisht të mbyllur.

Borissov gjithashtu bëri thirrje që presidenti i federatës bullgare të futbollit Borislav Mihailov të jap dorëheqje pas rezultateve të dobëta, ndërsa e urdhëroi ministrin e Sportit Krasen Kralev të ndërpresë çdo marrëdhënie me Mihailov derisa të jap dorëheqje.