Kritikoi zyrtarët e shtetit, aktivistja dënohet 38 vjet burg

Nasrin Sotudeh, aktiviste e të Drejtave të Njeriut në Iran u dënua 38 vjet burgim, për shkak të kritikave që i ka bërë qeverisë së vendit të saj. Familja e saj tha se Sotudeh është dënuar me një total prej 38 vjet burg dhe 148 goditje me kamxhik nga një gjykatë në Teheran. Nasrin Sotudeh u akuzua për disa vepra të lidhura me sigurinë kombëtare, shkruan BBC. 

Të gjitha akuzat në drejtim të saj, ajo i mohon. Grupet e të Drejtave të Njeriut kanë deklaruar se i tillë dënim është shumë i lartë e tronditës, për një individ, që ka fituar çmime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes të të drejtave njerëzore. Zonja Sotudeh, ndër të tjera është shprehur kundër dënimit me vdekje dhe kundër faktit që gratë detyrohen të veshin shami. Nga Amnisty International deklaruan se ky dënim është “i egër” dhe se është dhënë vetëm për faktin se aktivistja mbron të drejtat e njeriut në shtetin iranian. 

Burri i zonjës Sotoudeh konfirmoi dënimin e saj në “Facebook”, pas një bisede telefonike të shkurtër me të nga burgu, sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran. Avokati i saj ka deklaruar se ndaj Sotudeh janë ngritur akuzat “përhapja e informacionit kundër shtetit”, “fyerja e udhëheqësit suprem të Iranit” si dhe “spiunazh”.