Krasniqi e Gjakova sigurojnë medalje që deri tash kishte vetëm Kelmendi, në garë për të artën

Kosova ka siguruar dy finale në mastersin elitar që po mbahet në Kinë. Xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova janë në garë për të artën. Lajmin e ka bërë me dije trajneri Driton Kuka.

“Për kënaqësinë e juaj … Nga Kina e largët,duke vazhduar me lajme të shkëlqyeshme për vendin e popullin tonë! Kosova në Masters siguron dy finale! Mrekulli ishte paraqitja e Disit e Nores sot. Në finale me kënd tjetër pos me japoneze”, ka thënë Kuka, përmes profilit të tij në Facebook.

Ai i ka bërë një përshkrim gjithë garës.

“Mastersi garë elitare ku marrin pjesë më të mirët e më të mirëve. Në çdo kategori 16 më të mirët. Akili e nisi bukur kundër rusit Mogushkov por u ndal nga kampioni aktual botëror, koreani An Changrim dhe mandej në repasazh nga Shavdatuashvili”, ka treguar Kuka.

Më tej ai ka shtuar se Distria mposhti koreanen Yang mandej rusen Dolgova e në gjysëmfinale slovenen Stangar, të gjitha me Ippon. Në finale ndeshet me japonezen Ami Kondo.

“Nora Gjakova sot ishte në formë perfekte. Mposhti Telma Monteiron, japonezen Tamaoki e në gjysëmfinale kanadezen Climkait. Çfarë Nore e çmendur sot! Në finale kundër japonezes Yoshida, kampione aktuale botërore”, ka thënë Kuka.

“Deri sivjet në Masters medalje kishte fituar vetëm Majlinda. Pikë Olimpike me bollëk për të tretë”, thotë Kuka./koha.net