Krasniqi: Demarkacioni, Gjykata Speciale e marrëveshjet politike probleme të krijuara nga Thaçi

Jakup Krasniqi nga partia NISMA Socialdemokrate, në emisionin “Përballje” ka folur edhe për çëshçtjen e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Krasniqi thekson se problem më i madh se Demarkacioni janë marrëveshjet politike të arritura në Bruksel, pas vitit 2013.

“Unë mendoj se problemi më i madh se sa Demarkacioni janë Marrëveshjet politike të arritura në Bruksel pas vitit 2013 dhe kishim para pak kohe Gjykatën Speciale, ku këto tri këto probleme janë krijuar nga presidenti i tashëm i Kosovës. Ai [Thaçi] atëherë ka qenë përgjegjësi kryesor që është nënshkruar Marrëveshja, ku Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar. Tani ai ka nënshkruar një Marrëveshje tjetër që e ka pranuar gabimin e mëhershëm”, tha Krasniqi.

Sipas ish-kryeparlamentarit Krasniqi, me nënshkrimin e Marrëveshjes së fundit Presidenti e ka pranuar se nënshkrimin e ka vendosur gabim.

“Për mua kjo qëndron, sepse ti po nënshkruan një dokument për ta korrigjuar një marrëveshje që e ke bërë vet”, tha Krasniqi.

Sipas tij, politikisht mund të jetë edhe ajo se çfarë po flitet si një përpjekje për ta tejkaluar gjendjen dhe natyrisht kjo duhet të shikohet edhe si një përpjekje për dalje nga kriza.

Se si do të dilet nga kjo, Krasniqi tha se varet shumë se si kësaj çështje do t’i qaset Lista Serbe dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Pa Listën Serbe dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të arrihet numri prej dy të tretat e deputetëve”, tha Krasniqi.

Sipas tij, deputetët shqiptarë duhet ta marrin një rrezik mbi vete, me një kusht që ajo Marrëveshje të rishikohet, të korrigjohet.

“Unë mendoj se pas kësaj Marrëveshje të re që është bërë, janë vetë deputetet që duhet të vendosin”, tha ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Videon lidhur me këtë çështje mund ta shikoni nga minuta e 31-të.