KQZ: Janë hapur të gjitha vendvotimet në Istog

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se në komunën e Istogut, ku po rivotohet për kryetar të Komunës, janë hapur të gjitha vendvotimet.

Elezi, në një konferencë për media, tha se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin e të votojnë.

Përndryshe, janë 49.150 qytetarë me të drejt vote që kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e komunës së Istogut.

Në këtë komunë janë hapur 23 qendra dhe 63 vendvotime.

Në garë për kryetar të Istogut janë Haki Rugova i LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Kjo është hera e tretë që qytetarët e kësaj komune do të votojnë për zgjedhjen e të parit të tyre, pasi në raundin e parë nuk arriti asnjë kandidat të marrë votat e mjaftueshme, kurse në raundin e dytë, Dreshaj doli i pari, por këto rezultate u anuluan për shkak të parregullsive.