KQZ-ja planifikon që sot të përfundojë rinumërimin e 314 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 9 tetor kishte marrë vendim për rinumërimin e 314 vendvotimeve.

Kanë kaluar gjashtë  ditë qëkur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me rekomandim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), kishte marrë vendim që të kthejë në rinumërim 314 vendvotime nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Kanë kaluar gjashtë ditë që nga ky vendim dhe ende nuk ka përfunduar rinumërimi i 314 vendvotimeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për lajmi.net, se deri të hënën në mesnatë janë rinumëruar 253 vendvotime.

“Deri të hënën në mesnatë janë rinumëruar 253 vendvotime nga 314 sa është numri i përgjithshëm i tyre, për të cilat ka vendosur KQZ-ja”, ka treguar Elezi.

Ai ka thënë se janë duke bërë përpjekje që i gjithë rinumërimi të përfundojë gjatë ditës së sotme.

“Pra janë rinumëruar 80% e vendvotimeve dhe po planifikojmë që rinumërimi i pjesës së mbetur të vendvotimeve, 61 sosh, të përfundojë gjatë ditës së sotme”, u shpreh Elezi.