KQZ-ja nis shqyrtimin e zarfeve me fletvotime të ardhura nga Serbia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani ka filluar shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky vlerësim është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon.

“Pra, që ta dijmë nëse fletëvotimi i dërguar është nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara apo të refuzuara. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka deklaruar Elezi për lajmi.net.

Ai ka shtuar se për këtë proces janë në kontakt dhe bashkëpunim me institucionet tjera.

“Kemi edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës lidhur me këtë. Pra, edhe në pajisje logjistike”.