KQZ-ja gati për zgjedhjet e nesërme në veri, s’pret parregullsi

Nesër ditë e diele, në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Do të garojnë tri parti politike, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Sot, në këto komuna është heshtje zgjedhore.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, në një intervistë për Koha.net ka shpalosur ecurinë e procesit zgjedhor dhe ka dhënë detaje tjera rreth ditës së nesërme.

“Komisioni Qendror Zgjedhor, menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi ka shpallur datën e zgjedhjeve në veri ka filluar me përgatitjet intensive. Një ndër vendimet e para që KQZ-ja ka marrë ka qenë plani operacional ku janë paraparë me dhjetëra aktivitete që është dashur të ndërmerren nga KQZ gjatë kësaj periudhe 40 ditore. Tani kur jemi vetëm pak orë deri në hapjen e vendvotimeve, kemi arritur të përmbyllim të gjitha aspektet sa i përket organizimit të procesit zgjedhor. Kemi përmbushur detyrimet tona kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve”, tha Elezi duke shtuar se nesër presin të jetë një proces i rregullt zgjedhor pa ndonjë problem.

Nesër, këto tri subjekte politike që do të garojnë e që janë certifikuar nga KQZ-ja, kanë nga 4 kandidatë që në total i bie 12 kandidatë për katër komuna. KQZ-ja, e ka miratuar edhe planin e buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve. 471 mijë euro do të kushtojnë zgjedhjet për katër komunat. KQZ-ja ka planifikuar buxhetin për dy raundet, në raundin e parë janë planifikuar 315 mijë euro, ndërsa në raundin e dytë janë 156 mijë euro.

Për pesë ditë subjektet politike bënë fushatë zgjedhore në kërkim të mbështetjes së votuesve. Elezi thotë se sa i përket fushatës zgjedhore, vendimi për kohëzgjatjen i ka takuar KQZ-së.

“Kanë pasur pesë ditë në dispozicion për të mbajtur tubime elektorale, organizime e aktivitete. Sot është heshtje zgjedhore dhe sa i takon KQZ-së, nuk ka ndonjë detyrim specifik për të përcjellë tubimet elektorale. Kjo çështje është e ndërlidhur me raportimin e mbajtjes së këtyre tubimeve nga ana e subjekteve politike dhe kandidatëve te komisionet komunale. Me aq sa kemi pasur mundësi të shohim nëpërmjet mediave ka qenë fushatë e qetë. Sa i përket KQZ-së, presim që kjo ditë që do të mbahen zgjedhjet të jetë e zakonshme pasi kemi arritur t’i përgatisim të gjitha aspektet teknike”, tha Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, thotë se përgatitjet e para për ditën e nesërme, nisin në orën 7:00 të mëngjesit dhe dërgimi i fletëvotimeve dhe materiali tjetër të ndjeshëm do të bëhet nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

“Në çdo vendvotim do të dërgojmë fletëvotimet dhe materialet sensitive. Kjo është faza finale që qytetarët me të drejtë vote të shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Në këto katër komuna, numri i vendvotimeve është 87 dhe kanë të drejtë vote rreth 58 mijë qytetarë”, tha Elezi.

Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22.242 persona, në Leposaviq 18.390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8.612 persona.

Elezi sqaron se para se të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor do të jenë anëtarët e këshillave të vendvotimit të cilët do të bëjnë edhe rregullimin final në mënyrë që qytetarët nga ora 7 e mëngjesit të shkojnë vendvotime.

Këtë vit, misioni i OSBE-së nuk ka rol monitorues por do të ketë rol këshillëdhënës. Por, Elezi ka treguar edhe për pjesën tjetër të vëzhguesve në këto zgjedhje.

“Është i kufizuar për këshilla teknike për komisionet komunale dhe për këshillat teknike për këshillat e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve. Sa i përket vëzhguesve tjerë, janë rreth 500 vëzhgues që do të përcjellin procesin zgjedhor. Këta vëzhgues përfaqësojnë 2 parti politike, 2 misione ndërkombëtare, 1 komision evropian, 2 misione diplomatike, 12 ambasada, 1 OJQ ndërkombëtare, 4 OJQ vendore, 15 media”, thotë Elezi.

Kujtojmë se këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme, për shkak se vijnë pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm të këtyre komunave, si shenjë proteste ndaj vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Pati më pas përplasje edhe brenda anëtarëve të KQZ-së rreth certifikimi apo jo të Listës Serbe. Elezi, ka qartësuar se si është i saktësuar me ligj shpallja e kandidatit të ardhshëm.

“Kjo çështje është qartësuar në ligjin për zgjedhjet lokale ku flet për përfundimin e mandatit dhe shkarkimin e kryetarit të komunës dhe sipas nenit 11, pika 2, mandati i kryetarit të porsazgjedhur përfundon në datën e njëjtë sikurse mandati i kryetarit që e zëvendëson. Pra kemi të bëjmë me vazhdimin e mandatit. Duhet të presim edhe rezultatet e zgjedhjeve më pas certifikimin e tij. Por, kryetarët e ardhshëm në këto katër komuna do të vazhdojnë mandatin e mbetur”, tha ai.

Elezi ka thënë se nesër në ditën e zgjedhjeve, KQZ ka një plan si të informojë qytetarët për ecurinë e votimit. Gjatë ditës, ai tha se do të mbahen disa konferenca për shtyp ku do të bëhen të ditura të dhënat e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe ecurinë e përgjithshme.

“Për sa i përket rezultateve preliminare, nuk mund të dihet ndonjë orë e saktë pasi varemi se sa shpejtë do të kryhet numërimi i fletëvotimeve në votim e pastaj komisionet komunale sa shpejtë do të arrijnë që këto rezultate t’i përcjellin në KQZ por kemi një ekip që është formuar enkas për këtë dhe po shpresojmë që sa më shpejtë të jetë e mundur, brenda pak orëve pas mbylljes së vendvotimeve t’i kemi rezultatet preliminare”, tha Elezi.

KQZ-ja u zhbllokua pas një kohe të gjatë nga presidenti Thaçi. Kohët e fundit, spektri politik nuk e përjashton mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare. Elezi, ka treguar se a është i gatshëm ky institucion për zgjedhje.

“KQZ-ja është institucion i pavarur dhe i përhershëm i përcaktuar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës dhe detyrë kryesore e ka organizimin e zgjedhjeve të rregullta apo të jashtëzakonshme. Pra, kurdo që kërkohet nga KQZ-ja për t’u organizuar një proces zgjedhor sigurisht jemi gati dhe të përkushtuar”, tha Elezi.