KQZ i heq mandatin Agim Kajmakut

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur ti heqë mandatin kryetarit të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

KQZ ka shqyrtuar sot gjetjet e Prokurorisë së Përgjithshme për Agim Kajmakun.

Nga relacioni i paraqitur nga sekretari i KQZ-së në përgjigjen e Interpol Tirana dhe Interpol Greqi, gjurmët e gishtave të Agim Kajmakut dhe Jorgo Totos së arrestuar në Greqi për përputhen. Në dokumentacionin që Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur në KQZ rezulton gjithashtu se Agim Kajmaku ka qenë në hetim dy herë nga prokuroria e Tiranës por hetimet  ndaj tij janë pushuar.

Agim Kajmaku rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit arrestimin e tij në Greqi. Sipas ligjit fshehja e të dhënave në këtë formular çon në humbje të mandatit dhe subjekti rrezikon të dënohet deri në 4 vite heqje lirie.

Agim Kajmaku u përfaqësua në mbledhjen e sotme nga avokati i tij, Isuf Shehu. Ai tha se kemi të bëjmë  me “verifikime të paplota nga prokuroria e përgjithshme të cilat kanë cënuar figurën e subjektit”. Sipas tij mbledhja e të dhënave për Kajmakun nuk është bërë sipas një procedure të rregullt, sipas letërporosive që Prokuroria e Përgjithshme duhet t’ja kishte dërguar prokurorisë në Greqi. Në këtë letërporosi sipas tij do të zbulohet vendimi i gjykatës me anë të të cilit Agim Kajmaku është arrestuar në Greqi në vitin 2003. Ai kërkoi konfirmimin e Agim Kajmakut në detyrë.

Anëtarët e KQZ-së në fjalën e tyre nënvizuan se institucioni në këtë proces ka cilësinë e një quasi-gjykate kështu që nuk duhet trajtuar si një proces gjyqësor. Anëtari Bledar Skënderi tha se Prokuroria e Përgjithshme duhet të sjellë sqarim nëse vepra për të cilën Kajmaku është arrestuar në Greqi përbën apo jo vepër penale në Shqipëri dhe a ka një vendim të formës së prerë nga gjykata për ndalimin e tij.

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba tha ndër të tjera se vendimi i Kuvendit për dekriminalizimin e ka tejkaluar ligjin. Ai theksoi se Kajmaku është shpallur i pafajshëm nga gjykata greke por dispozita e vendimit të Kuvendit në të cilën thuhet se “paraqitja e fakteve të pavërteta në formularin e vetëdeklarimit çon në shkarkimin e subjektit” e komplikon çështjen. Megjithatë ai shtoi se KQZ-së nuk i takon interpretimi por zbatimi i vendimit të Kuvendit për sa kohë ai është në fuqi. /Opinion.al