KQZ: Deri në ora 11:00 votuan 16% e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 16.14 për qind e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën e parë KQZ- ja ka njoftuar se të gjitha 87 vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar për parregullësi.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në këto zgjedhje në garë janë kandidatë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në garë për kryetar të Leposaviqit janë: Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë: Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.

Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe. 

Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie.

Gjithashtu KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.

Kryetarët e komunave veriore më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind.

Presidenti Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.