Kosovë, 40 studentë fillojnë studimet master në universitetet e BE-së

Zyra e Bashkimin Evropian (BE) në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian të Kosovës me rastin e raundit të XII të projektit “Shema Young Cell”, ka ndarë grante për 40 studentë nga Kosova për studimet master në universitetet e Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një ceremoni solemne në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se ky është një nga projektet më të rëndësishme deri tani të financuara nga BE-ja në Kosovë.

Hoxha theksoi se që nga viti 2004 e deri më tani, nëpërmjet projektit “Shema Young Cell” 322 studentë nga Kosova janë dërguar në Evropë për studime pasuniversitare dhe të gjithë këta studentë pas përfundimit të studimeve kanë qenë të obliguar të kthehen dhe të punojnë në shërbimin publik në Kosovë.

“Studentë të profilizuar, të cilët janë punësuar në shërbimin publik, arritën të reformojnë dhe të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve në sfera të ndryshme të procesit të integrimit evropian, të cilët edhe më tej kontribuojnë, përfshirë edhe pozita udhëheqëse. Aktualisht kemi 50 studentë të cilët janë në studime dhe të cilët do të kthehen gajtë këtij viti. Raundi i fundit për këtë vit prej 40 studentëve po ashtu do të kthehet dhe punësohen vitin e ardhshëm”, tha Hoxha.

Ministria e Integrimit Evropian e Kosovës mori pjesë në financimin e dy raundeve të fundit të studentëve me 1 milion euro. Sipas ministres, kjo është një mundësi unike për të ndjekur specializimin në universitete prestigjioze dhe për të siguruar një punë menjëherë pas kthimit nga studimet pasuniversitare.

Luigji Brusa, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se arsimi është një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit dhe paratë më të dobishme të investuara në Kosovë. Sipas tij, 40 studentët e fundit kanë kaluar nëpër konkurse të ashpra dhe fituar bursa.

“Ju keni shansin të përmirësoni njohuritë tuaja, për të luftuar dhe për të jetuar në një mjedis tjetër dhe përveç profesorëve për t’u takuar me kolegët tuaj dhe do të jeni në rrugë të gjatë mbi të cilën do të ndërtoheni mbi vlerat tona dhe ky është komponenti më i rëndësishëm i këtij projekti”, tha ai.

Brusa theksoi se të gjithë do të punësohen pas kthimit dhe do të përballen me shumë sfida dhe probleme, por, siç tha ai, do të trajnohen për të parë gjërat ndryshe dhe për të gjetur mënyra për të përmirësuar ato.

Një nga fituesit e bursës, 22 vjeçarja Diellza Mulaj nga Kamenica, ndryshe studentja më mirë e ranguar në këtë grup, tha se është nder të jesh bursiste e BE-së dhe Qeverisë së Kosovës.

“Unë jam prej një vendi të vogël dhe për mua kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. E shoh këtë bursë si një mundësi për të kontribuar në integrimin evropian të vendit tim”, tha ajo.