Kosovari me kancer gjen shërim në Turqi falë operacionit të jashtëzakonshëm

Habib Qeriqi, 51-vjeçar nga Kosova i cili vuante nga kanceri në pankreas, ka gjetur shërimin në saje të një operacioni të jashtëzakonshëm të një kirurgu turk, i cili së bashku me tumorin i ka hequr edhe enët e gjakut në zorrën e hollë, mëlçi dhe veshkë, duke ia zëvendësuar me enë artificiale dhe enë të transferuara nga këmba e tij.

Qeriqi, i cili prej nëntë muajsh i ishte nënshtruar kemoterapisë në Kosovë, erdhi në Turqi për operacion. Ai u pranua në një spital privat në Ankara, ku kirurgu i përgjithshëm specialist, Prof. Dr. Mehmet Fatih Can dhe ekipi i tij bënë vlerësimet e nevojshme para operacionit. Në ekzaminimet e avancuara, mjekët turq konstatuan se Qeriqi mund t’i nënshtrohej operacionit të rrallë.

Ekipi, ku bënin pjesë kirurgu i përgjithshëm dhe specialistë të kirurgjisë kardiovaskulare, realizuan një hap për herë të parë në botë duke e pastruar zonën e prekur nga tumori te pacienti me një teknikë të pazbatuar më herët.

– “Zbatuam fazën e përparuar të një teknike të përparuar”

Prof. Dr. Can, në vlerësimin e tij për Anadolu Agency (AA) në lidhje me operacionin, tha se ishte një fat i madh që pacienti ishte i ri dhe se tumori nuk kishte kaluar në një vend tjetër të trupit të tij.

Ai theksoi se në operacionet e kancerit në pankreas kanë zbatuar fazën e përparuar të një teknike të përparuar që zbatohet shumë rallë.

“Në hulumtimin e bërë në literaturë, nuk kemi parë ndonjë operacion të tillë ku 4 vena vitale të nxirren dhe të vendosen të reja”, tha ai.

Ai më tej duke shpjeguar rreth operacionit të rëndë që ka zgjatur 13 orë, potencoi se nuk ka shembull tjetër të zbatuar në botë.

“Ndoshta është zbatuar por në literaturën e shkruar nuk kemi gjetur ndonjë operacion të tillë”, shtoi Can.

– Pacienti kosovar u kthye në vendin e tij pas operacionit

Ndërsa Qeriqi, duke treguar se për 10 muaj është duke luftuar me këtë sëmundje, tha se gjatë procesit të kemoterapisë ka pësuar dhimbje në bark dhe se ka pasur vështirësi në ngrënie.

Ai pasi ka kontaktuar me Prof. Dr. Can, ka vendosur që të shkojë në Turqi, duke shtuar se ndjehet i lumtur se i është kthyer shëndeti pas një operacioni të suksesshëm.

Qeriqi tha se pas operacionit tashmë ai mund të hajë qetë dhe nuk ka dhimbje.

Pacienti kosovar është kthyer në vendin e tij 17 ditë pas operacionit.