Kosovarët solidarizohen me Turqinë

Me flamuj të Turqisë dhe të Kosovës në duar, qindra persona janë grumbulluar sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për t’u solidarizuar me popullin turk me rastin e puçit që ndodhi saktësisht një vit më parë në Turqi.

Me një pankartë ku mbishkruhej “Jemi me ju”, organizatorët kanë thënë se janë mbledhur sot në Prishtinë për t’u solidarizuar me Turqinë.

Njëri nga organizatorët, i cili mori fjalën, tha se Turqia është “shtet mik i Kosovës”.

“Jemi mbledhur këtu për solidarizim ndaj një shteti mik”, tha njëri nga organizatorët, raporton Insajderi.

Në këtë marsh nuk morën pjesë njerëz të politikës, apo fytyra publike.

Puçi i organizuar më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi kishte dështuar, pasi qytetarët e Turqisë dolën në rrugë për ta mbrojtur sistemin qeverisës të vendit. Por, nga ky tentim-puç mbetën të vdekur më shumë se 150 njerzë, derisa u plagosën edhe rreth 1 mijë veta të tjerë.