Kosova me tifozë që dënojnë fyerjet e dhunën me rregullore

Thirrjet raciste, fyerjet e gjithçka tjetër që është në kundërshtim me Rregulloren e nxjerrë nga grupi i tifozëve në përkrahje të Kosovës “Dardanët”, tash e tutje do të jenë rreptësisht të ndaluara.

Në Rregulloren e publikuar të hënën thuhet se “Dardanët” duhet t’i respektojnë rregullat dhe kodet e mirësjelljes në stadiume e palestra sportive, shkruan sot Koha Ditore. Madje, grupi që mendon të jetë shembull për të mirë dhe larg dukurive të këqija që i karakterizojnë tifozët nëpër botë, ka edhe “mjete” për të ndaluar ata që devijojnë nga rregullat.

“Për çdo mosrespektim të rregullave të cekura do të ketë ndëshkime nga ‘Dardanët’ në bashkëpunim me organet shtetërore”, thuhet në rregullore. Siç shkruan në këtë letër, detyra e tifozëve është të përkrahin Kosovën, kurse trajnerët të stërvitin e lojtarët të luajnë.

“Janë rreptësisht të ndaluara thirrjet raciste, fyerjet, pankartat pa lejen e Kryesisë së “Dardanëve”, rekuizitat e klubeve lokale. Çdo tifozë është i obliguar të ketë rekuizitë të “Dardanëve” ose të Kosovës, në ndeshjet që zhvillon përfaqësuesja jonë si vendase apo mysafire”, shkruan tutje në letër.