Kosova pa barrikada, e fundit u hoq në veri të Mitrovicës

Sonte është larguar barrikada afër Shkollës Teknike në Mitrovicë, e cila ishte vendosur në vitin 2011.

Mirëpo, kjo ishte barrikada e fundit në veri, e cila u largua para disa orësh.Barrikada afër Shkollës Teknike në Mitrovicë në rrugën kryesore që lidh lagjen e Boshnjakëve me pjesën tjetër të veriut të Kosovës është hequr.

Për heqjen e barrikadës që u vendos në këtë vend në vitin 2011 punuan dy ekskavatorë pa targa.Të pranishëm në vend të ngjarjes ishin policë të Kosovës dhe karabinierë italianë.Lajmin për heqjen e barrikadës e konfirmoi për kallo.com zëvendësdrejtori i policisë në veri Besim Hoti.“Krejt çka muj me konfirmu është që barrikada është larguar dhe tash rruga është e lirë për qarkullim në të dy anët e qytetit,” tha Hoti.

Disa barrikada në pjesën veriore të vendit qenë vendosur pas aksionit të Policisë Speciale të Kosovës në korrik të vitit 2011 për marrjen e pikave kufitare 1 dhe 31.Gjatë këtij aksioni ishte vrarë polici Enver Zymberi që më vonë u shpall nga Presidentja Jahjaga “Hero i Kosovës”.