Kosova ndër ekipet me lojtarët më të rinj në kualifikimet për “EURO 2020”

Kosova nuk arriti të kualifikohej në Euro 2020, por “Dardanët” mund të mburren së paku me një primat që e kishin gjatë fazës eliminatore.

Verdhekaltrit e kishin në përgjithësi ekipin më të ri në kualifikimet e Evropianit.

Përfaqësuesja e Kosovës e bëri një kampanjë të shkëlqyeshme në kualifikimet e Euro 2020 edhe pse nuk arriti të kualifikohej përmes rrugës tradicionale.

“Dardanët” së paku mund të mburren me faktin se në kualifikimet e para dhe historike të Kampionatit Evropian e mbajtën një primat.

Verdhekaltrit ishin ekipi më i ri i këtyre kualifikimeve duke prirë për nga mosha më e re në katër ndeshje nga Top 10 ekipet startuese më të reja në fazën eliminatore.

Në ndeshjen me Bullgarinë, mosha mesatare e ekipit të Bernard Challandes ishte 23.7 vjeçare.

Në duel me Malin e Zi, mosha e lojtarëve startues të ekipit të Kosovës ishte 23.9 vjeçare, shkruan sajti i specializuar i futbollit, për vlerën e lojtarëve, klubeve dhe për statistika të ndryshme, njofton Transfermarkt përcjellë Klan Kosova.

Me Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri”, mesatarja e moshës së “Dardanëve” që luajtën nga minuta e parë ishte 24 vjeçare.

Me Anglinë në ndeshjen e zhvilluar në Southampton, mosha mesatare e futbollistëve kosovarë ishte 24.1 vjeçare.

Në mesin e Top 10 ekipeve më të reja të Evropianit futet edhe Anglia, me tri ndeshje, ndërsa aty gjendet edhe Luksemburgu me dy dhe Turqia me një.

Mosha e re e futbollistëve jep shpresë që Kosova të jetë e suksesshme në vitet e ardhshme.

Sidoqoftë, “Dardanët” mbeten ende në garë për t’u kualifikuar në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve.