Kosova mposhtet edhe nga Ukraina

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje me rezultat 3-0 nga Ukraina në duelin e zhvilluar në Krakovë të Polonisë.

Stadiumi i Krakovës tejet pak shikues ishte mikpritëse e duelit të Ukrainës ndaj Kosovës, për shkak se ukrainasit nuk pranuan që ndeshja të zhvillohej në tokën e tyre.

Edhe pse ukrainasit ishin në shumicë, nga fillimi tifozët e Kosovës “Dardanët” të mbledhur nga gjithë Evropa nuk u ndalën për asnjë moment duke përkrahur përfaqësuen tonë.

Bunjaku e filloi takimin me formacion krejt tjetër, ku Shala dhe Meha u inkuadruan në mesfushë, duke rikthye balancat, teksa Vedat Muriqi udhëhoqi sulmin që në krah kishte Rashicën e Valon Berishën. Në mbrojtje startoi Amir Rrahmani.

Ujkani duke u përshëndetur me lojtarët e Ukrainës para duelit në Krakov!

Ukraina nga ana tjetër hyri pa ndryshime në këtë takim, që doli të jetë shumë më i vështirë për ta nga sa e menduan.

Ukrainasit dominuan fillimin e pjesës së parë me posedim, por sfida ishte e balancuar dhe pa raste shënimi.

Deri në minutën e 30-të, kur Milot Rashica me një lëvizje të bukur shmangu dy lojtarë dhe gjuajti në drejtim të portës së Piyatov, por që u ndal nga ky i fundit.

Menjëherë në kundërsulm, Kravets mori një top nga Zinchenko, ku pas një goditje e cila u devijua, e mposhti portierin Samir Ujkani, të cilit topi i kaloi mbi kokë.

Kravets realizoi golin hapës të Ukrainës!

Pjesa e dytë ishte e zjarrtë dhe filloi me intensitet të lartë nga përfaqësuesja jonë, teksa Berisha u inkuadrua në lojë.

Ishte pikërisht Berisha ai që rrezikoi portën kundërshtare me anë të një goditje, por që u ndal nga portieri.

Në vazhdim ishte mbrojtja e Kosovës që stoikisht ndali sulmet kundërshtare dhe mundësoi kundërsulme të cilat shkaktuan rrezik për kundërshtarët.

Valon Berisha bëri përpjekje maksimale, por nuk arriti të bënte diferencën….

Berisha arriti që me anë të një goditje të rrezikonte sërish, por prekja me dorë nga kunërshtari nuk u sinjalizua për penalti nga gjyqtari, i pa fat Bernardi.

Në vazhdim sërish Kosova insistoi dhe madje përfaqësuesja jonë qëlloi edhe shtyllën.

Por, pikërisht atëherë kur u mendua se mbojtja e Kosovës do të rezistonte dhe do të niste kundërsulme, pikërisht atëherë ndodhën gabimet.

 Yarmolenko realizoi në momentin më të mirë të Kosovës…

Yarmolenko me një goditje në minutën e 81-të shënoi për 2-0, derisa Rotan (87’) shënoi për 3-0 dhe golin e nokautit pas një perceptimi të dobët të mbrojtjes dhe portierit Ujkani.

Ndeshja përfundoi me rezultat 3-0 dhe Kosova pësoi edhe humbjen e dytë në këto kualifikime.

Për dallim nga ndeshja me Kroacinë, Kosova u paraqit dukshëm më mirë, teksa rezultati nuk është real me atë që treguan djemt tanë në fushë.

Pas kësaj humbje Kosova mbetet në vendin e fundit të Grupit I me një pikë të tubuar, po aq sa ka edhe Finlanda që u mposht nga Kroacia.