Kosova merr kryesimin e SEECP, ministri Pacolli shpalos prioritet

 Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, para ambasadorëve të disa prej vendeve anëtarë të nismës rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ka hapur solemnisht kryesimin e Republikës së Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Ministri Pacolli vlerësoi se SEECP gjatë kryesimit të Kosovës në detyrë do të zhvillohet më tej si një shprehje e solidaritetit dhe përpjekjeve të shteteve pjesëmarrëse për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis tyre dhe shteteve dhe strukturave tjera euroatlantike. Ai bëri të ditur të pranishmëve se prioritetet e Republikës së Kosovës do të jenë promovimi i kulturës dhe artistëve të rinj, trashëgimia kulturore, si dhe zhvillimet pozitive në sektorin e energjisë në rajon.

“Kosova synon të kontribuojë tutje për një mjedis të paqes, sigurisë, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit, duke kapërcyer ndarjet përmes një qasje gjithëpërfshirëse dhe koherente, ndaj bashkëpunimit rajonal dhe duke promovuar Integrimin Evropian”, shtoi ministri.

Ministri Pacolli para ambasadorëve shkurtimisht foli edhe për ngjarjet e fundit para dhe gjatë Samitit në Sarajevë, ku pozita e Kosovës në kuadër të SEECP nuk është respektuar dhe Kosova nuk është trajtuar si te gjitha shtetet tjera anëtare.

“Kjo mund të ishte shmangur me një vullnet të mirë politik dhe koordinim mes shteteve, megjithatë, Kosova është e përkushtuar të jetë një partner kredibil dhe konstruktiv në rajon dhe në harmoni të plotë me misionin kryesor të SEECP”, tha ministri duke shtuar se politikat e BE-së për Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim Rajonal do të prezantohen në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë kryesimit të kësaj strukture të rëndësishme.

Është e rëndësishme të theksohet se kryesimi me SEECP po ndodh në të njëjtin vit kur Kosova ka kryesimin me Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe me Iniciativën Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI). Vendet anëtarë të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia dhe Rumania. ​