Kosova i ka dy opsione për demarkacionin

Gazetari dhe ligjëruesi në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren Arben Fetoshi, ka thënë për “Zërin” se shënjimi i vijës kufitare është ndër atributet më të rëndësishme të procesit të shtetndërtimit, por i cili në rastin e Kosovës po e kërcënon atë. Fetoshi ka thënë se përmasat që sot ka marrë kjo temë rrezikojnë stabilitetin edhe ashtu të brishtë në vend. Sipas tij, kur kësaj i shtojmë edhe skandalet komprometuese nga tabori qeverisës, gjendja rezulton tejet alarmante dhe kërkon ndërhyrje urgjente.

“Pra, sido që të jetë e vërteta, në anën e opozitës apo të Qeverisë, e shoh si të domosdoshme një qasje ndryshe ndaj demarkacionit. Aspekti më shqetësues i këtij konflikti të brendshëm politik është zgjatimi i tij në një konflikt me Malin e Zi e kjo jo vetëm që s’guxon të lejohet, por do të ishte një gabim vrastar për Republikën e Kosovës”, ka vlerësuar Fetoshi.

Mbetja në pozicione të ngrira e Qeverisë dhe e opozitës, sipas tij, përpos që është e paarsyeshme dhe tregon për nivelin e mjerë të klasës politike, pashmangshëm e thellon konfliktin brenda shoqërisë. Prandaj ai thotë se çështja e demarkacionit është dashur të rishikohet nga një mekanizëm i ri e me kredibilitet publik, qoftë edhe nëse rishikimi do të na çonte te i njëjti rezultat. “Sipas mendimit tim, institucionet kanë dy mundësi të zgjidhjes. E para, në qoftë se Qeveria arrin të mbajë vullnetin e mirë të konfirmuar të Podgoricës dhe çështja të dërgohet në Arbitrazh Ndërkombëtar, dhe e dyta, meqenëse nyja është te Kuvendi dhe pikërisht te disa deputetë të pozitës, Kuvendi i Kosovës ta ngrejë një komision verifikues me përfaqësim të pozitës dhe të opozitës, i cili për një afat optimal do të dilte para deputetëve me gjetjet eventuale dhe me konkluzione të qarta sa i përket marrëveshjes”, ka shtuar Fetoshi, duke thënë se beson se të gjithë qytetarët e vendit janë ndier të fyer nga trajtimi rajonal i çështjes së kufirit.

Sipas tij, nuk guxon të jetë më i brengosur për këtë çështje një deputet i Pejës apo Deçanit sesa një deputet i Gjilanit apo Prizrenit, pasi Fetoshi thotë se kjo nuk është çështje e interesave lokale.