Kosova ende pa vendimin për aplikim në UNESCO dhe KE

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në vazhdimësi për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, sikurse Agjencia për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) dhe Këshilli i Evropës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, por ata nuk kanë precizuar ndonjë afat të caktuar se kur do ta bëjnë këtë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës, në radhë të parë Ministria e Jashtme, po punon me intensitet të shtuar për avancimin e dosjes së aplikimit për anëtarësim në UNESCO. Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton që Kosova domosdo do të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë, gjatë këtij viti.

“Ende ne nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar se kur do të aplikojmë. Janë plot rrethana, të cilat do të analizohen me kujdes. Janë zhvillimet brenda UNESCO-s, janë zhvillimet në Kosovë, rajonale etj. Pra, të gjitha këto kanë ndikim në gjithë procesin. Prandaj, ne do të jemi të kujdesshëm që mos të përsëritet një situatë e re, në të cilën ne nuk do të mund të kishim sukses. Në aplikimin e dytë, ne patjetër duhet të jemi me gjasa të sigurta për t’u anëtarësuar”, thotë Murtezaj.

Zëvendësministri Murtezaj thekson se mjaft rrethana nuk varen detyrimisht nga Kosova, për ta determinuar saktësisht se kur do të merret vendimi për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Ngjashëm, sipas tij, është situata edhe për aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin Evropian.

“Nuk ka afat kohor, por esenca e gjithë kësaj është që Kosova ka shumë nevojë për t’u anëtarësuar në këtë institucion, i cili merret me segmente të rëndësishme të jetës për qytetarët e Kosovës, siç janë: të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e minoriteteve. Të gjitha këto bëjnë që Kosova të ketë një interesim edhe më të theksuar dhe përkushtim për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Natyrisht që edhe prej momentit të aplikimit, procesi zgjat. Pra, nuk është një proces që mund të përmbyllet brenda një apo dy vjetëve”, sqaron Murtezaj.

Por, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se institucionet e Kosovës janë vonuar për t’u integruar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës.

“Po e them shumë e vonuar, për shkak se, mos të harrojmë se organizatat ndërkombëtare përbëhen prej shteteve anëtare, politikat e të cilave dirigjohen nga politika e brendshme e secilit shtet anëtar. Sa më shumë që po ndryshon politika nëpër botë, në kuptimin që po fiton më shumë përkrahje rryma ekstreme e djathtë në shtetet anëtare, aq më e ashpër dhe më e vështirë do të jetë për Kosovën situata për anëtarësim në organizma multilateral”, thotë ajo.

Deputetja Demaku, shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës nuk është duke punuar mjaftueshëm dhe me seriozitetin e nevojshëm, në mënyrë që të bëhen aplikimet e duhura në organizatat ndërkombëtare.

“Sa më shumë që e shtyjmë procesin, gjendja do të vijë duke u përkeqësuar, për sa i përket kushteve, dhe jo duke u përmirësuar. Kështu që, nëse nuk aplikojmë, ne domosdo e diskualifikojmë veten”, konsideron Demaku.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova kishte dështuar të bëhet anëtare e UNESCO-s, duke mos arritur që të marrë më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme të vendeve anëtare të kësaj organizate, të pranishme në punimet e konferencës së përgjithshme të saj.

Kosovës i munguan edhe 3 vota “për”. Paraprakisht, Kosova ishte ballafaquar me një fushatë agresive të Serbisë, e cila kishte kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.(