Kosova e humbë miqësoren ndaj Suedisë

Kombëtarja e Kosovës është mposhtur minimalisht 0-1 nga Suedia në miqësoren testuese të zhvilluar të dielën pasdite në Doha të Katarit.

Trajneri Bernard Challandes, për këtë miqësore ka ftuar numër të madh lojtarësh nga Superliga e Kosovës, por për formacionin startues përzgjodhi këta lojtarë: Bekaj, Thaqi, Bekteshi, Aliti, Lirim Kastrati, Loshaj, Shala, Ibrahimaj, Bytyqi, Rashani, Flamur Kastrati


Në minutat e parë të ndeshjes, Kosova ishte më dominuese, ku synohej të arrihej sulmuesi Flamur Kastrati, i cili udhëhoqi fazën ofensive të ‘Dardanëve’.

Suedezët patën një mundësi serioze në minutën e 19’, kur Adam Andersson provoi pas një harkimi nga krahu, për fatin e mirë të Kosovës, goditja e tij shkoi jashtë portës së Visar Bekajt.

Kosova u kundërpërgjigj menjëherë Suedisë me një rast të mirë në minutën e 22, kur pas një harkimi të Herolind Shalës, Flamur Kastrati provoi me kokë, por portieri Peter Abrahamsson, bëri një pritje tejet të bukur.


Nuk kaloi as një minutë, dhe ‘Dardanët’ ishin sërish afër golit, kësaj here përmes mbrojtësit Fidan Aliti.

Në minutën e 31’, Bernard Challandes bëri zëvendësimin e parë, duke e inkuadruar 19 vjeçarin Ismet Lushaku në vend të Florian Loshaj.

Deri në fund të pjesës së parë, Kosova provoi edhe disa herë, por nuk ishte e sukseshme në realizimin e golit, për të shkuar në pushimin prej 15 minutave, me rezultatin 0-0.


Kosova e nisi pjesën e dytë me disa zëvendësime, duke i inkuaduar në lojë futbollistët nga Superliga e Kosovës, si Jetmir Topalli, Valmir Veliu, Blendi Baftiu, Lapidar Lladrovci, Arbër Hoxha. Në pjesën e dytë u inkuadrua edhe Anel Rashkaj.

Minutat e parë të kësaj pjese të dytë, gjithashtu i takuan Kosovës, e cila edhe pse bëri disa zëvendësime duke inkuadruar lojtarë nga Superliga, ruajti vazhdimësinë e pjesës së parë, nga mënyra e lojës së aplikuar.

Një vendosje jo e mirë në mbrojtje i kushtoi me gol Kosovës, kur Simon Hedlund shënoi në minutën e 75’, për t’i dhuruar epërsinë Suedisë.

Deri në fund të ndeshjes, rezultati mbeti i pandryshuar, me Suedinë që e mposht 1:0 Kosovën.