Kosova drejt zgjedhjeve – liderët e partive politike thonë se s’ka zgjidhje tjetër

Pas dorëheqjes së djeshme të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj vendi ka hyrë në një situatë të re politike.

Haradinaj në fjalimin e tij të dorëheqjes është shprehur se mandatin ai do t’ia kthejë sovranit që nëpërmjet zgjedhjeve të vendos për qeverinë e ardhshme, shkruan lajmi.net.

Ftesa nga Gjykata Speciale ishte arsyeja e dorëheqjes së Haradinajt i cili tash e një kohë të gjatë po përballej me presionin e opozitës për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga ai.

Ndërkohë, reagimi i liderëve të subjekteve politike ishte i menjëhershëm, ndërsa të gjithë njëzëri kanë kërkuar që të shpallet data e zgjedhjeve të parakohshme.

Ishte i pari, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje që kërkoi zgjedhje, pak momente pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar”, e quajti Kurti dorëheqjen e Haradinajt duke kërkuar menjëherë zgjedhje.

“Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare. Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën.”, tha Kurti në reagimin e tij në Facebook.

Edhe ish-bashkëpartiaku i tij e tani shef i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti është shprehur se zgjedhjet janë të domosdoshme dhe nuk ka nevojë për qeveri teknike.

“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Ne aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme. Edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, është shprehur Ahmeti.

Zgjedhje të parakohshme kanë kërkuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet nënkryetarit të partisë, Lutfi Haziri, njëherit kandidat potencial për të parin e LDK-së.

“Çdo tendencë për zhagitje i përngjan vetë koalicionit PAN, i cili sot është zhag për toke. Kjo është arsyeja që gjithmonë ke kemi bërë përgjegjës PAN-in për gjendjen në vend e jo veç kryeministrin. Pra, zgjedhjet i përcakton sovrani e jo PAN-i”, ka thënë Haziri në një reagim të tijin.

Përveç partive opozitare, edhe Nisma Socialdemokrate, pjesë e koalicionit qeverisës me kryeministrin Ramush Haradinaj, janë shprehur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Me dorëheqjen e Haradinajt vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Të gjitha procedurat duhet të respektohen por gjendja faktike është kjo, vendi do të shkojë në zgjedhje.”, ka thënë Limaj.

Rreth zgjedhjeve nuk janë deklaruar ende dy partitë e tjera të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re.

Dje, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se pas kthimit të tij nga Uashingtoni me strukturat e partisë së tij do të diskutoj rreth hapave të mëtutjeshëm.

Kujtojmë  se ligji e përcakton në raste të tilla se presidenti i vendit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë.