Kosova dhe Serbia nuk takohen më kurrë në gara

Hendbolli serb kurrë më nuk do të ballafaqohet me homologët nga Kosova.

Kështu ka pohuar presidenti i Federatës së Hendbollit të Serbisë (RSS), Dragan Skrbic, i cili ka treguar se ka arritur një marrëveshje për këtë gjë me Federatën Evropiane të Hendbollit.

Sipas kësaj marrëveshje, edhe në rast të shorti përcakton të takohen ekipet apo përfaqësueset e këtyre dyja vendeve në ndonjë ngjarje, atëherë do të hedhet sërish shorti.

“Federata e Hendbollit të Serbisë ka arritur një marrëveshje me drejtuesit e EHF dhe kurrë më nuk do të ndodhë që kombëtarja apo një ekip nga Serbia të luan me Kosovën apo ekipet e saja. Është vendosur që edhe që të ndryshohet shorti në rast se na bjerë të luajmë me ata në mënyrë që të mos përsërite diçka e ngjashme me çfarë ndodhi në Beograd rreth dhjetë ditë më parë”, tha Skrbic për “Alo”.

Turneu kualifikues për junior, ku ishte planifikuar të takohet Serbia dhe Kosova, fillimisht është dashur të luhet në Kragujevc, pastaj u transferua në Kovilovo, por u anulua javën e kaluar me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Pas kësaj, EHF pezulloi përzgjedhjen e Serbisë nga konkurrenca dhe RSS-n e pret një dënim i rëndë.

Ndryshe, edhe xhudistet serbe nuk janë lejuar të ballafaqohen me xhudistet tona ndërsa Kosova ka paralajmëruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Karatesë që do të mbahet në Serbi.