Kosnett: Ligjet kundër korrupsionit nuk janë të mjaftueshme, nëse ato nuk zbatohen

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka folur sot për çështjen e luftimit të korrupsionit, teksa ka thënë se nuk janë të mjaftueshme ligjet nëse ato nuk zbatohen.

Kosnett në fjalën e tij në konferencën e hapjes së Javës kundër Korrupsionit, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se është e gatshme të ndëshkojë zyrtarët e korruptuar.

”Tani jam kthyer dhe jam i privilegjuar për të nisur fillimin e dekadës së dytë si Kosovë e pavarur. Përgëzoj Kuvendin përmiratimin e reformave për sundimin e ligjit. Është e qartë që kjo nuk mjafton ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen në mënyrë të barabartë. Disa në mënyrë të rregullt përfitojnë nga pozita e tyre.Qeveria tani duhet ta dëshmojë se është e gatshme të ndëshkojë zyrtarët e korruptuar nga lartë poshtë. Kjo përkon në atë për shprehje të sinqertë”, ka thënë Kosnett.

Tutje ambasadori amerikan, Kosnett tha se prijësit guximtarë duhet të jenë të gatshëm që të pyesin veten nëse janë të gatshëm t’i shërbejnë Kosovës apo dikujt tjetër.

Ndryshe kjo pjesëmarrje e Kosnett sot në aktivitetin e ‘Javës Kundër Korrupsionit 2018’, është paraqitja e parë publike që nga marrja e postit si Ambasador i SHBA-së, në Kosovë.