Komuna e Fushë Kosovës dhuron 20 mijë euro për Suharekën

Javën e kaluar shiu që ra në Suharekë shkaktoi dëme të mëdha materiale.

Nga vërshimet qindra familje u dëmtuan dhe shumë rrugë u shkatërruan.

Kjo komunë ende po vazhdon të ballafaqohet me pasoja, ndërsa shumë qytetarë, organizata, por edhe FSK-ja po u vinë në ndihmë, shkruan Indeksonline.

Sot përmes një njoftimi në llogarinë e tij Facebook kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj ka njoftuar se Komuna e Fushë Kosovës u ka dhuruar 20 mijë euro.

“Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës z. Burim Berisha, ka vendosur të na ndihmoj me shumën financiare prej 20 mijë euro për ndërtimin e një shtëpie, aty ku do të paraqitet nevoja pas verifikimit të situatës nga vërshimet e fundit. E falenderoj në emër të qytetarëve të Komunës sonë”, ka shkruar Muharremaj.

Ndryshe dje në Komunën e Suharekës ka nisur edhe dezinsektimi në çdo shtëpi të prekur nga vërshimet, kjo me qëllim të shmangies së ndonjë epidemie të mundshme.
Sot këtë komunë pritet ta vizitojë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.