Kombëtarja e Portugalisë pa Ronaldon deri në fund të vitit

Njëri nga futbollistët më të mirë në botë, Cristiano Ronaldo, me gjasë nuk do të paraqitet në ndeshjet e kombëtares së Portugalisë, të cilat do të zhvillohen brenda këtij viti.

Sipas mediave portugeze, lojtari i Juventusit, i ka kërkuar përzgjedhësit Fernando Santos të mos e ftojë për duelet që Portugalia do t’i luajë në tetor dhe nëntor.

Fillimisht, Portugalia takohet me Poloninë këtë muaj në kuadër të Ligës së Kombeve, pas çka zhvillon një ndeshje miqësore kundër Skocisë në Glasgow, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në nëntor, në kalendar janë dy ndeshje gjithashtu të vlefshme për Ligën e Kombeve, përsëri kundër Polonisë dhe një tjetër në të cilën pret Italinë. Pritet që të gjitha takimet e lartpërmendura, Portugalia t’i luajë pa Ronaldon.

Ndryshe, Ronaldo nuk ka luajtur për Portugalinë që nga Kampionati Botëror verën e kaluar në Rusi.

Ronaldo ka regjistruar 154 ndeshje për kombëtaren e tij në të cilat ka shënuar 85 gola.