Koalicioni, ‘nën hetime’

Për afro dy vjet koalicioni qeverisës PDK – LDK është përballur me sfida të shumta. Përveç mosarritjes së objektivave qeveritare, siç është liberalizimi i vizave dhe dështimi për ta formuar ushtrinë e vendit, ky koalicion ka pasur probleme jo të vogla edhe me drejtësinë.

Disa deputetë nga të dyja partitë gjatë këtyre dy vjetëve në mënyrë të vazhdueshme janë përballur me ligjin e madje disa edhe janë dënuar.

Më e prekur në këtë drejtim është Partia Demokratike e Kosovës, e cila nga 35 deputetë sa ka gjithsej, pesë prej tyre janë ballafaquar me drejtësinë.

Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Azem Syla, Fadil Demaku dhe së fundmi edhe shefi i Grupit Parlamentar Adem Grabovci kanë qenë “nën llupën” e Prokurorisë dhe të Gjykatës.

Analistët politikë në Kosovë thonë se figura e deputetit duhet të jetë e pastër moralisht dhe politikisht, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndërkohë zyrtarë nga opozita kosovare kanë vlerësuar se problemet e politikanëve me drejtësinë janë një mesazh i keq dhe një dukuri shqetësuese.

“Për këto çështje është Ligji Zgjedhor dhe KQZ-ja e ka në dorë të vendosë a ka shkelje ligjore a jo”, ka thënë për “Zërin” deputeti i PDK-së, Nait Hasani.

Eksperti për çështje kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë për “Zërin” se personat e përfolur apo të implikuar në afera nuk do të duhej lejuar për t’u evidencuar në listat e kandidatëve për deputetë.