KMLDNJ: I padrejtë presioni ndaj mësueses me shami

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar pas raportimeve të fundit rreth kërkesës së disa prindërve për largimin nga shkolla të një mësuese me shami në njërën prej institucioneve arsimore në Kosovë.

Bëhet fjalë për mësuesen e matematikës, Fatmire Bujupin, për të cilën prindërit e shkollës fillore “Visar Krasniqi”, nga fshatit Drenoc i Malishevës, shtruan kërkesë që e njëjta të mos u jap mësim fëmijëve të tyre.

Kryetari i KMDLNJ-se, Behxhet Shala në një prononcim për “Indeksonline”, thotë se rasti i arsimtares Bujupi është i njëjti si me disa nxënëse me shami që u përjashtuan më parë nga shkollat. Ai shprehet se këto veprime janë të nxituara dhe se kjo çështje duhet rregullohet sa më parë.

“Avokati i popullit dhe KMLDNJ ka dal disa herë në mbrojte të nxënësve (me shami) dhe ka ndodhur që ato janë kthyer. Në qoftë se ajo mësuese deri më tash nuk ka penguar as nxënësve dhe prindërve nuk e di pse tash po shfaqet kjo pengesë. Kjo duhet të rregullohet me ligj dhe të caktohet një uniformë për të gjithë”, ka thënë ai.

Më tej, Shala këtë rast të kësaj shkolle e ndërlidh edhe me deputeten e Kuvendit të Republikës, Labinota Demi-Murtezi.

“Nuk e di pse dikujt nuk po i pengon e njëjta shami e deputetes Labinot-Demi Murtezi, ndërsa i pengon një mësuese apo nxënëse. Përderisa nuk rregullohet me ligj dhe s’ka sanksionime me ligj atëherë kjo llogaritet e lejuar”, ka thënë ai.

Sipas KMLDNJ-së situata e tanishme kur po flitet për radikalizmin islamik, po ka arrestime dhe luftë globale kundër kësaj dukurie, shumë shpesh keqpërdoret. “Pra, tani është krijuar një situatë që çdo gjë që ka të bëjë me veshjen”, ka thënë Shala.

Ndryshe, vetë Arsimtarja, Fatmire Bujupi , deklaroi për “Klan Kosovën” se po i bëhet e padrejtë nga nxënësit e prindërit, pasi ajo ligjëron lëndën e saj si të tjerë mësimdhënës. Ajo pretendon se qëllimi është që të sjellet një mësues tjetër në shkollë, e jo puna e shamisë.