KMDLNJ: Policia e Kosovës të trajtohet në bazë të përgjegjësive që i ka

Përfaqësues të KMDLNj-së dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi diskutuan sot për gjendjen e sigurisë në vend, e cila u vlerësua e kënaqshme falë përkushtimit të lartë të Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrave të saj.

Në këtë kontekst u diskutua edhe për rekrutimin aktual për rritjen e numrit të policëve, e cila është në proces.

Regjistrimi i të gjithë personave të cilët jetojnë në Kosovë është obligim i shtetit dhe me ministrin u bisedua dhe është në rrugë të mirë të realizimit të saj, e që nuk nënkupton dhënie ose marrje të nënshtetësisë por regjistër mbi individët të cilët aktualisht ndodhen në Kosovë.

Këtu i referohen personave që nuk janë banorë apo qytetarë të Kosovës, por qëndrojnë në Kosovë dhe nuk e kanë lajmëruar një adresë të qëndrimit, thuhet në një komunikatë për media.

KMDLNJ në këtë takim ngriti edhe shqetësimet mbi problemet e pajisjes me dokumente të personave të zhvendosur nga Lugina e Preshevës, të cilët po përballen me probleme ngase nga shteti serb nuk po u lëshohen dokumentet personale kurse në Kosovë po u kërkohen ato.

Nga ministri u kërkua që të gjendet një zgjidhje për këta individë.

Dhënia e afatit për regjistrimin e veturave të paregjistruara nga ana e ministrit Gashi, KMDLNj e vlerëson si hap pozitiv në plotësimin e kritereve për aplikim për anëtarësim për kartonin e gjelbër, pasi Kosova ka një numër të madh të veturave të paregjistruara gjë që pamundëson plotësimin e kritereve të nevojshme për aplikim për kartonin e gjelbër.