Klubi i Premierligës ofron 33 milionë për Milot Rashicën

Futbollisti i Werder Bremenit Milot Rashica është duke u lidhur me një transferim te skuadra e Premierligës Aston Villa.

Aston Villa pritet të ofrojë rreth 33 milionë funte për ta transferuar sulmuesin nga Vushtrria në muajin e ardhshëm, shkruan Zëri.info.

Pavarësisht se drejtori i klubit gjerman Frank Baumann e ka bërë të qartë se Rashica nuk do të largohet, Aston Villa nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

23-vjeçari është në formë të mirë këtë edicion, derisa është treguar në shumë ndeshje vendimtar për skuadrën e tij.

Pas 12 golave dhe gjashtë asistimeve për skuadrën e Florian Kohfeldt edicionin e kaluar, Rashica tashmë ka shënuar tetë gola në 12 ndeshje këtë edicion.

Rashica i kushtoi Werder Bremenit vetëm gjashtë milionë funte kur u transferua në Gjermani nga klubi holandez Vitesse Arnhem.

Përveç Aston Villës, edhe klube të tjera evropiane e kanë vëzhguar yllin e Kosovës kohëve të fundit.