Klopp pas largimit të Coutinhos: Shpirti dhe zemra e Liverpoolit nuk shiten kurrë

Pas zyrtarizimit të transferimit të Phillipe Coutinhos nga Liverpooli në Barcelonë, është prononcuar trajneri i “të kuqve” Jurgen Klopp, i cili theksoi se klubi nga “Anfield” bëri përpjekjet maksimale për të mbajtur në radhët e veta brazilianin e larguar.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit, trajneri gjerman thotë se me një zemërim të thellë ndahen nga miku, një personalitet i shkëlqyer dhe një lojtar fantastik.

“Nuk është sekret se Philippe që në qershor dëshiroi të largohet, atëherë kur Barcelona shfaqi interesimin e parë. Ai ishte këmbëngulës në synimet e veta, përkundër përpjekjeve për ta bindur që të mbetet tek klubi ynë”, thotë Klopp.

Ai u tha tifozëve se klubi do të reagojë në mënyrën më të mirë, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga ish ylli i tyre i larguar. “Këtu jam një kohë të mjaftueshme dhe njoh historinë e klubit. Lojtarë kyç janë larguar edhe më parë, por klubi vazhdon tutje. Zemra dhe shpirti i klubit futbollistik Liverpool nuk mund të shiten, edhe pse jam i bindur se shumë klube do të donin ta blejnë”, tha Klopp.

Në njoftimin zyrtar të klubit katalonas thuhet se me 25 vjeçarin brazilian kanë nënshkruar një kontratë 5.5 vjeçare, ku mes tjerash qëndron klauzola për lirimin e tij e vlefshme 400 milionë euro.

Mediat britanike shkruajnë se si dëmshpërblim për Coutinhon, Liverpool do të arkëtojë 160 milionë euro, të cilat e bëjnë brazilianin lojtarin më të shtrenjtë të Barcelonës.

Në vitin 2013, Coutinho kaloi në Liverpool nga Interi për 13 milionë euro, ku regjistroi 200 ndeshje dhe shënoi 54 gola.