Kjo është shifra e çmendur që Polonia ia kërkon Gjermanisë si dëmshpërblim

Vetëm pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, qeveria polake i ka përsëritur Berlinit kërkesën për dëmshpërblimin e dëmeve të pësuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Autoritetet polake përmendin shifra të çmendura. “Duhet të ulemi për një bisedë serioze me gjermanët dhe të vrasim mendjen së bashku sesi mund të zgjidhet problemi”, i tha radios RFM ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski.

Dëmet e luftës, sipas tij, mund të mbërrijnë në nivelin e 1 trilionë dollarëve. Marrëdhëniet dypalëshe, tha kreu i diplomacisë polake, sot e kësaj dite vazhdojnë të errësohen nga agresioni gjerman i 1939-s dhe çështjet e pazgjidhura të pasluftës.

Ministri i Mbrojtjes Antoni Macierewicz i ka akuzuar nga ana tjetër kritikët europianë se po përpiqen të “fshijnë” nga kujtesa historike  e Europës fatin e polakëve në duart e gjermanëve të asaj kohe.

Qeveria polake e krahut të djathtë e ka pezulluar rezolutën e miratuar në vitin 1953 nga ish-ekzekutivi komunist ku rrëzohej çdo pretendim për dëmshpërblim nga Berlini, e këmbëngul tani se Gjermania po përpiqet t’i bëjë bisht përgjegjësisë së saj morale.

Kundërshtarët argumentojnë se qeveria aktuale i është kthyer temës së kompensimit me qëllimin të shmangë vëmendjen nga axhenda e saj nacionaliste. Ministri i Brendshëm,  Mariusz Blaszczak foli këtë fundjavë për një miliard dollarë, apo  840 milionë euro që mund t’i kërkohen Berlinit.

“Ndoshta janë edhe më shumë, sepse ka mbi 70 vjet që nuk janë bërë llogari të sakta. Në pikëpamjen morale, me siguri që nuk ka diskutim, ndërsa në kendvështrimin juridik, çështja nuk është e qartë”, thotë Blaszczak.