Kjo është pasuria e funksionarëve të PDK-së që u larguan pas vendimit të Veselit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli përmes një konference për media gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se do të lirojë nga pozitat shtetërore të gjithë funksionarët e partisë së tij të cilët kanë aktakuza të ngritura për vepra të ndryshme të korrupsionit.

Besim Beqaj, ministër i Inovacionit, Agim Çeku, zëvendësministër i Mbrojtjes, Njazi Kryeziu, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, e Sami Lushtaku kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, janë disa nga figurat që u liruan nga funksionet e tyre shtetërore dhe partiake, shkruan lajmi.net.

Por cila është pasuria e këtyre personave.

Besim Beqaj – Shtëpi, toka e veturë të shtrenjtë

Ish-ministri i Inovacionit, Besim Beqaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar një shtëpi në vlerë prej 232 mijë eurosh në emër të tij.

Ai ka deklaruar edhe dy shtëpi tjera familjare, vlerën e të cilave nuk e ka specifikuar.

Beqaj ka deklaruar edhe një veturë të tipit “ML” në emër të tij, vlera e së cilës kap shifrën prej 25 mijë eurosh.

Ish ministri ka edhe borxhe ndaj institucioneve financiare. 80 mijë euro është  shuma që Beqaj i ka borxh tek Peja Hill SHPK.

Njazi Kryeziu – Pasuri e vogël e deklaruar 

Krejt ndryshe nga ministri Beqaj, është deklarimi i këshilltarit të Kryetarit të Kuvendit, Njazi Kryeziu.

Në AKK ai ka deklaruar një veturë në vlerë prej 4 mijë e 500 euro, ndërkaq para të gatshme ka deklaruar hiç më shumë se 640 euro.

Njaziu ka edhe borxhe pasi që për qëllime të renovimit të shtëpisë, ai ka marrë hua 35 mijë euro tek një person fizik.

Kryeziu merr rrogë mbi 19 mijë euro në vit nga Kuvendi i Kosovës.

Agim Çeku – Pa para në bankë

Ish-zëvendësministri i mbrojtjes, Agim Çeku i cili po përballet me aktakuzë në rastin e manipulimit me lista të veteranëve të UÇK-së, nuk e ka deklaruar asnjë cent në bankë.

Në pronësi të tij janë dy vetura, njëra në vlerë prej 10 mijë eurosh, e tjetra në vlerë prej 1 mijë e 500 eurosh.

Çeku në pronësi ka edhe një shtëpi banimi në vlerë prej 120 mijë eurosh.

Zëvendësministri ka edhe borxhe. Ai detyrime në dy banka ka në vlerë prej 43 mijë eurosh.

Sami Lushtaku –  Shtëpi, banesa e veturë të shtrenjtë

Punët pak më mirë ekonomikisht duket se i ka ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Ai në vitin 2015 në AKK ka deklaruar një banesë në vlerë prej 70 mijë eurosh, shtëpi të trashëguar në vlerë prej 320 mijë eurosh e tokë në vlerë prej 590 mijë eurosh.

Lushtaku në pronësi ka edhe një lokal në vlerë të hiç më pak se 600 mijë eurosh, si dhe veturë në vlerë prej 28 mijë eurosh.

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, nuk ka deklaruar ndonjë borxh ndaj personave fizik ose juridik. /Lajmi.net/

SHPËRNDAJE