Kjo është gjendja shëndetësore e zyrtarëve të KQZ-së që u helmuan nga zarfet e Serbisë

Drejtoresha e Klinikës së Infektives, Lindita Ajazaj-Berisha, ka dhënë detaje të të helmuarve nga zarfet e ardhura nga Serbia.

Njëmbëdhjetë nga 26 të helmuarit dje gjatë verifikimit të votave nga Serbia po qëndrojnë në Klinikën Infektive teksa gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Kështu është shprehur drejtoresha e Klinikës së Infektives, Lindita Ajazaj-Berisha në një konferencë për media, teksa tregoi dhe simptomat të cilat i kanë.

“Në klinikë janë të hospitalizuar 11 pacientë gjendja është stabile. Disa prej  tyre kanë pas mundim, vjellje, skuqje të lëkurës. Për momentin nuk mundemi me dhënë diagnozën e saktë, pacientët duhet të qëndrojnë në klinikë”, tha ajo, raporton kp.

Ndryshe dje gjatë numërimit të votave të ardhura nga Serbia, numëruesit janë ankuar për kundërmim që vinin nga zarfet dhe për një alergji.

Pas këtij lajmi janë vënë në lëvizje Policia, Prokuroria dhe institucionet tjera ku edhe janë pezulluar numërimi i votave të ardhura nga shteti fqinj.