Kirby zihet ngushtë kur gazetari e pyet për gjenocidin në Halep

WASHINGTON (AA) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të insistojnë për një zgjidhje politike për problemin e Sirisë në kohën kur Turqia dhe Rusia po angazhohen për paqe në Halepin lindor dhe evakuim të civilëve, deklaroi mbrëmë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby, raporton Anadolu Agency (AA).

Kirby u tha gazetarëve se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka kontaktuar homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, atë rus Sergei si dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për të diskutuar zhvillimet në Siri.

Ndërsa Kirby u mundua të paraqesë SHBA-të në dritën më të mirë të mundshme, ai u vu në pozitë të vështirë nga një gazetar i cili e pyeti atë “përse SHBA-të nuk shkuan përtej thirrjeve diplomatike për të mbrojtur mijëra civilët të cilët mbetën të bllokuar në qytetin sirian”.

“Keni dështuar në mënyrë të vazhdueshme duke përsëritur gjërat që është një kombinim i përpjekjes për të ulur njerëzit në tryezë të bisedimeve, një lloj i armëpushit jo të përsosur, dhe kur gjërat përkeqësohen atëherë ju bëheni nervoz dhe akuzoni (përkrahësit e regjimit sirian) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Asnjëherë nuk arritët sukses”, tha gazetari.

Kirby u kundërpëgjigj duke thënë se Kerry ka nënvizuar nevojën për ti dhënë fund vrasjeve të civilëve në Halep dhe ka akuzuar luftëtarët shiit që gëzojnë përkrahjen e Iranit, për shkelje të armëpushimit të arritur të martën.

“Çfarë do që ishte njoftuar të martën nuk mbijetoi gjatë nga shkaku se luftëtarët e regjimit dhe milicët që gëzojnë përkrahjen e Iranit janë duke e shkelur të njëjtën”, tha Kirby.

“Dështimi është në besimin se kjo luftë mund të përfundojë ushtarakisht”, tha më tej ai duke ia mveshur dështimin Rusisë e cila nuk ka ushtruar ndikim të mjaftueshëm mbi regjimin e Assadit për të ndalur brutalitetin.

Gazetari u përgjigj duke thënë se si shteti më i fortë në botë, SHBA-ja ka përgjegjësi për të bërë më shumë se sa diskutime diplomatike për ti hapë rrugë komunitetit ndërkombëtar të gjejë një zgjidhje në Siri.

Biseda e Kerryt me homologët e tij vjen në vazhdën e rivendosjs së një armëpushimi në Halep, dhe pas lajmërimit të Moskës për një samit trepalësh me zyrtarët iranianë dhe turq të thirrur për datën 27 dhjetor në Moskë.

Kirby tha se SHBA-të nuk janë pjesë e diskutimeve mes Turqisë dhe Rusisë dhe se nuk janë ftuar në samit.