Kili, 8 të vdekur në protestat kundër rritjes së çmimit të metros

Numri i viktimave në Kili ka shkuar në 8 persona në demonstratat kundër rritjes së çmimit të metros, që u shndërruan në protesta të dhunshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pesë persona humbën jetën nga zjarri në një fabrikë të tekstilit në afërsi të kryeqytetit Santiago pasi ambienti u vërshua nga protestuesit.

Më herët gjatë të dielës, tre persona humbën jetën në Santiago nga zjarri brenda një supermarketi të plaçkitur.

Të dielën në Santiago u shpall gjendje e jashtëzakonshme 15-ditore.

Numri i zonave ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme është rritur që kur filluan protestat kundër rritjes së çmimit të metros, pavarësisht faktit se qeveria u tërhoq nga rritja e çmimit.

Pas rajonit metropolitan, i cili është i banuar nga pothuajse 7 milionë njerëz, rajonit Valparaiso, provincës Concepcion dhe qyteteve Rencagua, Coquimbo dhe La Serena, gjendje e jashtëzakonshme dhe orë policore është shpallur në Antofagasta.

Sot qindra protestues vërshuan stacionet e metros në Santiago, ku protestat ishin të dhunshme pasi forcat e sigurisë përdorën forcë kundër demonstruesve që hynin në metro pa bërë pagesë.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës pasi protestuesit dëmtuan disa stacione të metros.