KFOR mbështet aksionin e policisë në veri: Gjithçka ishte në rregull, nuk kishin nevojë për leje

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka mbështetur aksionin e policisë së Kosovës në veri.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka deklaruar se aksioni i djeshëm i policisë së Kosovës ishte i rregullt dhe se kërcënimin më të madh e paraqesin politikanët dhe mediat.

Në pyetjen se si ka qenë situata dje në Kosovë, Grasso ka thënë se ishte gjithçka nën kontroll.

“Dje kishte pak tension por për fatin e mirë ka qëndruar në lokacione të izoluara dhe ka përfunduar brenda ditës andaj mund të them se është e qetë”, deklaroi ai për emisionin e mëngjesit në “TV Prva”, transmeton lajmi.net.

I pyetur se me nga kush kishin marrë leje policia e Kosovës për të zhvilluar aksionin në veri, Grasso ka thënë se ajo që ndodhi ishte operacioni policor i zhvilluar me kërkesë nga prokuroria e Kosovës.

“Operacioni është zhvilluar në disa komuna, përfshirë edhe ato në veri. Sa i përket aprovimeve, policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për realizimin e të drejtës së sundimit të ligjit. Dhe, kur ata janë në realizim të saj e bëjnë pa leje shtesë”, shpjegoi ai.

Mediave serbe nuk u ka pëlqyer aspak qëndrimi i KFOR-it për aksionin e djeshëm në veri nga policia e Kosovës duke e quajtur të “pabesueshëm”, qëndrimin e dhënë nga Grasso.