KFOR-i ka rreth 4 mijë e 500 trupa në Kosovë

Sipas të dhënave , KFOR-i kishte hyrë në Kosovë fillimisht me 50 mijë pjesëtarë.

“KFOR-i fillimisht kishte hyrë në Kosovë me 50 mijë trupa, burra dhe gra nga shtetet anëtare të NATO-s, partnerët e saj dhe shtetet joanëtare të NATO-s në një komandë të unifikuar”, thuhet në këto të dhëna.

Sipas tyre, me kalimin e viteve KFOR-i e kishte zvogëluar edhe numrin e pjesëtarëve, duke kapur kështu shifrën 39 mijë.

“Në pjesën e parë të vitit 2002 KFOR-i kishte zvogëluar praninë e saj në 39 mijë trupa. Përmirësimi i situatës së sigurisë i kishte lejuar NATO-s që ta zvogëlojë edhe më tej praninë e saj në 26 mijë trupa në qershor të vitit 2003. Ndërsa në fund të vitit 2003, prania ishte vetëm 17.500 trupa”, shtohet tutje, shkruan Zëri.

Ndërkohë sot, sipas këtyre të dhënave, KFOR-i ka gjithsej 4500 trupa në Kosovë.

“Sot, KFOR-i ka rreth 4500 trupa nga 31 shtete të ndryshme. KFOR-i vazhdon ta ndihmojë, ta ruajë dhe ta sigurojë mjedisin dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas mandatit të tij”, potencohet me tej.