Këto janë rregullat më të rëndësishme për shoferët në ligjin e ri

Më datën 20.09.2016, hyri në fuqi Ligji Nr. 05/L – 088 për Rregullat e Trafikut Rrugor. Qëllimi i këtij ligjit, sipas MI-së, është rritja e sigurisë në trafikun rrugor, zhvillimi i rrjedhjes normale të trafikut dhe mbrojtja e ambientit.

Me këtë ligj janë përcaktuar rregullat e reja për shoferë, këmbësorë dhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik, sistemi i pikëve negative, marrja e përkohshëm përkatësisht anulimi i patentë shoferit, përdorimi i rripit të sigurisë sipas standardeve të Direktivave Evropiane, Kontrollimi Mobil i Rregullsisë Teknike të Automjetit dhe të tjera.

Elementet më të rëndësishme të këtij ligjit janë:

Parashihet “ZONA E SHKOLLËS’ për mbrojtjen e nxënëseve,
Shqiptimi i pikëve negative parashihet: për tejkalim të shpejtësisë, hyrja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë, tejkalimi jo i rregullt, mos respektimi i shenjës apo urdhrit të personit të autorizuar, ngasja nën ndikim të alkoolit, etj.,
Këmbësori gjatë kohës së pashmërisë së zvogëluar jashtë zonave të banuar duhet ta mbajë ndonjë mjet ose pajisje reflektuese apo burim drite, si: jelek reflektues, rroba reflektuese, bateri e të ngjashme. Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë,
Këmbësorit i lejohet ta kaloj rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve, vetëm nëse nga vendi ku donë ta kaloj rrugën, vendkalimi është larg 50 metra brenda zonës urbane, përkatësisht 100 metra jashtë zonës urbane. Këmbësorit gjatë kalimit të rrugës nuk i lejohet ta pengoj lëvizjen e automjeteve,
Përdorimi i rripit të sigurisë bëhet sipas udhëzimeve të prodhuesit, ndërsa nëse në automjet nuk gjendet ulësja e veçantë, fëmija duhet të jetë nën përkujdese të personit të moshës madhore,
Si pajisjet shtesë e detyrueshme e automjetit është jeleku reflektues të cilin duhet ta bart shoferi në rast defektit apo ndonjë arsye tjerë kur gjendet në rrugë gjatë kohës me pashmëri të zvogëluar,
Me qëllim të mbrojtjes së ambientit janë parapara rregullat e reja, përveç tjerash janë përcaktuar rastet kur duhet të fiket motori i automjetit, p.sh në tunel nëse automjeti ndalet më tepër se një minutë,
Me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe për mbrojtje të ambientit, kontrolli i rregullsisë teknike të mjetit mund të bëhet edhe në rrugë, përmes kontrollit teknik mobil,
Sistemi i pikëve negative, nëse shoferi i grumbullon së paku 9 pikë negative i pezullohet patentë shoferi, pastaj nëse prapë shoferi i grumbullon së paku 9 pikë negative, i anulohet patentë shoferi dhe i njëjti pasi të kalojnë 2 vjet, ka të drejt t’i nënshtrohet provimi për patentë shofer si kandidat fillestar.
Secila pikë negative vlen 2 vjet. Shoferit mund ti shqiptohen prej 1 deri 5 pikë përnjëherë varësisht nga pesha e kundërvajtjes. Pesë (5) pikë negative shihen për tejkalim të shpejtësisë dhe largimi i automjetit nga vendi i aksidentit.
Të gjobat e parapara për kundërvajtje me këtë ligj, pjesëmarrësi në trafik i paguan vetëm 50% e shumës së paraparë për atë dënim, nëse i paguan brenda tetë (8) dite nga data e shkaktimit të kundërvajtjes.