Katastrofa në Kaliforni, vijojnë kërkimet për rreth 130 persona të zhdukur

Vatrat masive të zjarrit kanë shkaktuar të paktën 59 të vdekur në Kaliforni, ndërkohë autoritetet janë përqendruar për gjetjen e rreth 130 personave që rezultojnë ende të zhdukur.

“Trupat e pajetë të tetë viktimave u gjetën të mërkurën në Paradise, një qytet i vogël në veri të Kalifornisë i përfshirë nga zjarret që më 8 nëntor,” njoftoi sherifi i kontesë së Butte, Kory Honea.

“Mendojmë se kemi identifikuar 47 veta, por mbetemi në pritje të konfirmimit të ADN-së”, shtoi ai gjatë një konference shtypi.

Rreth 9,000 zjarrfikës janë aktualisht duke luftuar me zjarret në gjithë Kaliforninë.

Zjarret, që kanë nisur rreth një javë më parë, u përshkruan si më të këqijat në historinë e shtetit.

Historikisht, “stina e zjarreve” në Kaliforni fillon në verë dhe zgjat deri në fillim vjeshtës, por ekspertët tani paralajmërojnë për rrezik gjatë gjithë vitit.

Kushtet e motit dhe ndryshimet klimatike shihen si shkaktarët kryesorë./Ora News